Ballina Shqiperia ime Mijera makina çregjistrohen përfundimisht ne Fier,Tirane e Durres – ngelen në kontrollin...

Mijera makina çregjistrohen përfundimisht ne Fier,Tirane e Durres – ngelen në kontrollin teknik

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka publikuar raportin zyrtar për periudhën Janar–Korrik 2025 mbi kontrollet teknike të automjeteve në të gjithë vendin. Nga 167.046 mjete të testuara, 24.3% kanë dështuar në testimin teknik, duke treguar një rritje të ndjeshme të automjeteve të papërshtatshme për qarkullim.

Sipas të dhënave, 4.577 automjete, me një moshë mesatare 22 vjeç, janë çregjistruar përfundimisht, pasi nuk kanë përmbushur kushtet minimale teknike për të lëvizur në rrugë. Ky numër sinjalizon për nevojën urgjente të rinovimit të flotës rrugore, sidomos për automjetet e vjetra që përbëjnë rrezik real për sigurinë rrugore dhe ndotjen mjedisore.

Arsyet kryesore të ngeljes në kontrollin teknik:

  • 37.8% – Problemet me sistemin e shkarkimit të gazrave (ndotje e lartë e ajrit)
  • 34.9% – Mangësi vizuale dhe funksionale (drita, pasqyra, elementë të jashtëm)
  • 14.8% – Defekte në sistemin e frenimit
  • 13% – Probleme me sistemin e drejtimit

Qarku me më shumë kontrolle:

  • Tirana mban vendin e parë me 35.6% të testimeve
  • Pasojnë Durrësi dhe Fieri, për shkak të dendësisë më të lartë të popullsisë dhe mjeteve.
  • Gjirokastra ka numrin më të ulët të mjeteve të testuara.

DPSHTRR kujton qytetarët:

  • Ndalohen rreptësisht ndërhyrjet në odometër, modifikimet konstruktive dhe çdo ndërhyrje tjetër që cenon sigurinë rrugore.
  • Kontrolli teknik mund të rezervohet online përmes e-Albania për të shmangur vonesat dhe pritjet.

Ky raport ngre shqetësimin për një pjesë të madhe të automjeteve që, për shkak të amortizimit, nuk arrijnë të përmbushin standardet e sigurisë, duke sjellë rreziqe të shtuara në rrugë dhe ndotje të konsiderueshme të ajrit. Autoritetet apelojnë për kujdes më të madh të pronarëve, si dhe masa shtesë për rigjenerimin e parkut automjetik në Shqipëri.