Ballina Aktualitet “Me këtë vizitë kemi bërë progres”, Rama konferencë të përbashkët me Keir...

“Me këtë vizitë kemi bërë progres”, Rama konferencë të përbashkët me Keir Starmer: Të lidhur për dy çështje kryesore

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer në kuadër të samitit që do të mbahet ditën e nesërme në Tiranë vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Në konferencën e përbashkët në Kryeministri, Edi Rama e cilësoi si një progres vizitën e tij në Shqipëri.

Rama tha se vendi ynë me Britaninë diskutojnë për dy çështje kryesore, ku njëra prej tyre është edhe emigracioni i paligjshëm.

“Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe për shkak se asnjëherë më parë, ne nuk kemi qenë kaq të lidhur në të paktën dy çështje të rëndësishme. Natyrisht në çështjen  e Ukrainës, si dy vende që ndajmë edhe anëtarësinë në NATO dhe në çështjen e betejës kundër emigracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale, që e stimulojnë emigracionin e  paligjshëm. Dhe besoj që në këtë të dytën kemi bërë progres të jashtëzakonshëm, ndërkohë që për sa i përket të parës marr parasysh edhe situata në përgjithësi gjeopolitike është shumë më e trazuar, ne kemi thelluar bashkëpunimin dhe po punojmë intensivisht për të krijuar më shumë sinergji në fushën e sigurisë e posaçërisht të mbrojtjes.Në angazhimin kundër rrjeteve kriminale dhe emigracionit të paligjshëm kemi arsye të jemi shumë krenar për punën që kemi bërë. Shifrat janë mbresëlënëse dhe unë përfitoj nga rasti i pranisë tuaj dhe i pranisë të të dërguarve të medias britanike për të theksuar që referimi në shifrat e këtij bashkëpunimi shumë të suksesshëm është gjëja e duhur për publikun britanik dhe jo kultivimi i miteve, ndër të cilët dhe miti se shqiptarët janë një problem për Britaninë, pasi të gjitha shifrat flasin vetë”, tha Rama