Mbi 30 vjeç nuk bëhesh dot polic – urdhri i ri i Ministrit të Brendshëm
Nga 1 gushti 2025 ka hyrë në fuqi urdhri i Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili përcakton se mosha maksimale për t’u pranuar në Policinë e Shtetit është 30 vjeç. Ky kriter është vendosur në zbatim të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, që hyri në fuqi në korrik 2024, dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.
Kjo do të thotë se konkursi i këtij viti në Akademinë e Sigurisë është i fundit ku kriteri i moshës nuk u zbatua, ndërsa në aplikimet e ardhshme mosha do të jetë përcaktuese.
Aktualisht, Policia e Shtetit numëron 12,300 efektivë, por ka ende mungesa në disa nivele. Vetëm për nivelin bazë llogaritet një deficit prej 600 punonjësish, ndërsa mungojnë edhe rreth 200 nënkomisarë. Këto vakanca janë krijuar si pasojë e daljes në pension, shkarkimeve për shkak të hetimeve dhe dorëheqjeve.