Ballina Shqiperia ime Mbështetje 50% grant për serra diellore – Shteti subvencionon prodhimin e perimeve,...

Mbështetje 50% grant për serra diellore – Shteti subvencionon prodhimin e perimeve, rrushit dhe luleshtrydheve

Fermerët shqiptarë që dëshirojnë të investojnë në ndërtimin e serrave diellore për prodhimin e perimeve, rrushit të tavolinës dhe luleshtrydheve, mund të përfitojnë deri në 50% mbështetje financiare nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025.

Mbështetja synon të nxisë bujqësinë intensive dhe të qëndrueshme, duke përfshirë edhe instalimin e sistemeve moderne të ujitjes. Financimi vlen për serra nga 0.2 ha deri në 2 ha dhe është i ndarë sipas llojit të prodhimit:

  • Deri në 15 milionë lekë/ha për serra perimesh
  • Deri në 8 milionë lekë/ha për serra rrushi tavoline
  • Deri në 4 milionë lekë/ha për serra luleshtrydheje

Ministrja Anila Denaj bëri të ditur se përveç grantit 50%, fermerët mund të përfitojnë edhe kredi të butë me interes vetëm 2%, si dhe garanci sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit të kërkuar për investimin.

Aplikimet për këtë program janë të hapura deri më 30 shtator dhe përfshijnë gjithsej 9 masa mbështetëse, të fokusuara në rritjen e produktivitetit, cilësisë dhe konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore shqiptare, sidomos në rajonet me potencial të lartë kultivimi.

Kjo masë pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin rural, rritjen e të ardhurave për fermerët dhe zvogëlimin e varësisë nga importet.