Ballina Shqiperia ime Mashtrime online me ETIAS-in e rremë: Udhëtarët rrezikojnë humbje parash dhe vjedhje...

Mashtrime online me ETIAS-in e rremë: Udhëtarët rrezikojnë humbje parash dhe vjedhje të të dhënave personale

Bashkimi Evropian nisi të zbatojë më 12 tetor sistemin e ri të Hyrje-Daljes (EES), pas disa vitesh zvarritje të procesit. Sipas këtij sistemi, 29 vendet që përbëjnë Zonën Shengen do të regjistrojnë të dhënat biometrike të të gjithë udhëtarëve jashtë BE-së, si fotografinë e fytyrës dhe shenjat e gishtave, sa herë që hyjnë ose dalin nga kufiri. Qëllimi i kësaj mase është të përmirësohet siguria, të identifikohen shkelësit e afateve të qëndrimit dhe të thjeshtohen procedurat e kontrollit kufitar.

Reforma prek si udhëtarët pa vizë, ashtu edhe ata me viza afatshkurtra. Gjatë hyrjes së parë, rojet kufitare do të mbledhin dhe ruajnë të dhënat për tre vjet, ndërsa në kalimet e mëvonshme procedura do të jetë më e shpejtë. Ata që kanë pasaportë biometrike do të mund të përdorin pajisje automatike të posaçme, që do të konfirmojnë të dhënat dhe do të llogarisin ditët e mbetura të qëndrimit. Për ata pa pasaportë biometrike, të dhënat do të mblidhen manualisht.

Për arsye sigurie, vetëm autoritetet përgjegjëse për kufijtë, vizat, emigracionin, policinë dhe Europolin do të kenë akses në të dhënat personale. Megjithatë, në kushte të rrepta, të dhënat mund të transferohen në vende të tjera (brenda ose jashtë BE-së) ose në organizata ndërkombëtare (si OKB, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin apo Kryqi i Kuq Ndërkombëtar), për qëllime rikthimi ose hetimesh.

Megjithatë, vendosja e këtij sistemi ka krijuar konfuzion me një skemë tjetër, ETIAS (Sistemi Evropian për Informacionin dhe Autorizimin e Udhëtimit), i cili ende nuk ka nisur zbatimin. ETIAS do të funksionojë si një autorizim udhëtimi për vizitorët nga vende që nuk kanë nevojë për vizë, si SHBA, dhe do të kushtojë 20 euro. Edhe pse nisja e tij është planifikuar për fundin e vitit 2026, dhjetëra faqe të rreme tashmë po ofrojnë këtë shërbim, duke përfituar nga padituria e udhëtarëve.

Shoqata britanike e udhëtimeve, ABTA, ka paralajmëruar se qytetarët që përpiqen të “aplikojnë” për ETIAS janë aktualisht në rrezik mashtrimi, si financiarisht ashtu edhe në aspektin e të dhënave personale. Disa përdorues të mashtruar kanë raportuar se kanë paguar shuma të konsiderueshme për “kompani” fiktive, që premtonin përshpejtimin e procedurave. Autoritetet e BE-së kanë sqaruar se askush nuk ka nevojë të aplikojë për momentin dhe se, kur të hyjë në fuqi ETIAS, do të ketë vetëm një faqe zyrtare të Komisionit Evropian për aplikimet.

Megjithëse Sistemi i Hyrje-Daljes ka nisur, jo të gjitha pikat kufitare dhe hyrëse janë aktivizuar. Mekanizmi pritet të jetë plotësisht funksional deri më 10 prill 2026. Deri atëherë, vulosja tradicionale e pasaportave do të vazhdojë si zakonisht.