Në Shqipëri po vërehet një ndryshim i thellë në mënyrën se si çiftet e shohin martesën. Sot, gjithnjë e më pak njerëz zgjedhin të kurorëzohen, ndërsa nga ana tjetër, edhe ata që janë të martuar po përballen me një rritje të ndjeshme të divorceve. Vetëm gjatë vitit 2024, rreth një në tre çifte kanë vendosur t’i japin fund martesës së tyre.
Statistikat tregojnë se nga vitet 1990 deri në 2004, martesa kishte një stabilitet relativ. Më pas, struktura familjare nisi të ndryshojë ndjeshëm. Nga rreth 29 mijë martesa të regjistruara në vitin 1990, ky numër ka rënë në vetëm 16 120 në vitin 2024.
Ndërkohë, divorci nuk shihet më si një tabu, siç ndodhte në vitet ’90. Përkundrazi, në vitin 2024 u regjistrua një nivel historik: afro 29.8 divorce për çdo 1 000 martesa, shifra më e lartë e shënuar ndonjëherë në vend.
Ekspertët e lidhin këtë prirje me disa faktorë kryesorë: emigrimin masiv të të rinjve, vështirësitë ekonomike që rëndojnë mbi familjet dhe modernizimin e shoqërisë. Sot, gjithnjë e më shumë individë vendosin në plan të parë mirëqenien personale dhe karrierën, duke e shtyrë ose shmangur martesën.
Megjithatë, ndarja nuk është një proces i lehtë. Pas saj fshihen pasoja të shumta, që nga çështjet e kujdestarisë së fëmijëve dhe ndarja e pasurisë, te detyrimet financiare mujore dhe mungesa e mbështetjes për prindërit e vetëm. Të gjitha këto e bëjnë divorcin një proces emocionalisht dhe ekonomikisht të vështirë, me ndikim afatgjatë për të gjithë familjen.










