Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, gjatë diskutimit në Parlamentin Evropian për raportprogresin e Shqipërisë për vitet 2023-2024 ka kërkuar që reforma në drejtësi të mos preket.
“Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar”, tha Marta Kos.
Komisionerja për zgjerim u tha anëtarëve të Parlamentit Evropian se bisedimet me Shqipërinë po ecin me një shpejtësi të madhe, edhe pse ende ka shumë punë për t’u bërë.
“Ky raport vjen në një moment vendimtar, pasi negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten.
Kjo tregon se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me Presidencën daneze për të mbajtur ritmin. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur”, vijoi Kos.
Kos e mbylli fjalën e saj duke thënë se në kontekstin aktual gjeopolitik, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor mbeten një prioritet gjeostrategjik për BE-në.
Të dy raportet e progresit të dy viteve të fundit për vendin tonë do të miratohen gjatë të mërkurës.