Një ngjarje absurde dhe e dhimbshme po zhvillohet në fshatin Drizar të Mallakastrës, ku tre vëllezër, Halim, Zagor dhe Pëllumb Ferzaj, kanë bllokuar rrugën që të çon në varrezat e fshatit. Për pasojë, familja Tenaj nuk mund të kryejë nderimet për të ndjerin që mbush një vit nga vdekja, pasi automjetet që transportojnë materialet për ndërtimin e varrit nuk lejohen të kalojnë.
Sipas denoncimit të Kelmend Tenajt, banor i fshatit Drizar që prej vitesh jeton në Itali, konflikti me tre vëllezërit Ferzaj ka nisur kohë më parë, por është përshkallëzuar ndjeshëm pas vdekjes së vëllait të tij. Kelmendi rrëfen se për të kryer nderimet mortore është dashur të marrë leje nga Ferzajt, të cilët kanë bllokuar rrugën që lidh fshatin me varrezat, duke e kthyer në pronë private.
Situata, sipas Tenajt, është bërë edhe më e rëndë në prag të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të vëllait, pasi makina që transporton materialet për ndërtimin e varrit nuk lejohet të kalojë. Ai shprehet se ka kërkuar ndihmë nga institucionet lokale, por pa rezultat.
“Vetwm një herë që kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, ka urdhëruar hapjen e rrugës, u bë e mundur të kalonim, por pas pak ditësh ‘tre agallarët’ e fshatit e bllokuan sërish,” thotë Kelmendi për “Piranjat”.
Institucionet: të pafuqishme ose të painteresuara
Drejtori i Policisë Bashkiake në Mallakastër ka pranuar se është shkelur ligji, por e konsideron rastin jashtë kompetencave të tyre, duke theksuar se duhet të ndërhyjë Prokuroria për shkak të veprës penale të përsëritur. Edhe pse është zotuar për zgjidhje, deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.
Gazetarët e “Piranjave” janë përpjekur të marrin një qëndrim nga kryebashkiaku Qerim Ismailaj, i cili në vend të sqarimeve ka shfaqur sjellje arrogante dhe mungesë përgjegjësie, duke mos lejuar as hyrjen e tyre në zyrë. Edhe pas zotimit të tij për hapjen e rrugës, situata në terren mbetet e pandryshuar.
Një vepër penale pa ndëshkim
Bllokimi i rrugës publike që çon në varreza përbën vepër penale, por deri më sot askush nuk është mbajtur përgjegjës. Dosja, sipas Tenajt, është dorëzuar në Prokurori, por nuk dihet nëse po hetohet apo është mbyllur në heshtje.
Ndërkohë, familja e tij mbetet pa mundësi për të nderuar të afërmin e ndjerë, në një ngjarje që tregon qartë dështimin e shtetit për të garantuar të drejtën më bazike – lëvizjen në tokën e përbashkët.