Një aksident rrugor është regjistruar pak orë më parë në rrugën Transballkanike, pranë qytetit të Vlorës, ku një automjet ka përplasur një grua.
Sipas informacioneve paraprake, e lënduara është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa nuk dihet ende gjendja e saj shëndetësore.
Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit, një automjet tip “Benz” me targa gjermane, ka braktisur makinën dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.










