Reshjet e dendura që vijojnë prej disa ditësh kanë shkaktuar probleme në zonat e Lushnjës dhe Divjakës. Lumi Seman ka dalë nga shtrati, duke përmbytur rreth 130 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturës në fshatrat Ngurrëz dhe Imshtë.
Ndërkohë, lumi Shkumbin është afër të dalë nga shtrati, me disa hektarë tokë tashmë të përmbytur.
Në njësinë administrative Grabjan të Divjakës dhe në njësinë administrative Dushk të Lushnjës, përmbytjet kanë prekur rreth 150 hektarë tokë të mbjellë.
Hidrovoret e Tërbufit, Karavastasë dhe Divjakës po punojnë me kapacitet të plotë për menaxhimin e ujit, ndërsa reshjet vazhdojnë të bien me intensitet mesatar.
Autoritetet lokale ngrenë alarmin dhe apelojnë për kujdes në zonat e prekura.








