Lufta mes SHBA-Izraelit dhe Iranit po reflektohet drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të benzinës dhe naftës në shumë vende të botës.
Shoferët në disa kontinente tashmë po ndiejnë efektet e krizës, pasi që nga fillimi i konfliktit çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm. Në Shtetet e Bashkuara, çmimi mesatar i benzinës është rritur nga 2.94 dollarë për galon në shkurt në rreth 3.58 dollarë aktualisht, një rritje afro 20%, sipas të dhënave të AAA Fuel Prices.
Në disa shtete amerikane çmimi ka kaluar tashmë 4 dollarë për galon, ndërsa në Kaliforni ka tejkaluar 5 dollarë, niveli më i lartë i dy viteve të fundit.
Sipas të dhënave të platformës Global Petrol Prices, të përpunuara nga Al Jazeera, të paktën 85 vende kanë regjistruar rritje të çmimeve të benzinës që pas sulmeve të para ndaj Iranit më 28 shkurt.
Rritja më e madhe është shënuar në Vietnam, ku çmimi i benzinës 95 oktane u rrit gati 50%, nga 0.75 dollarë për litër në 1.13 dollarë. Pas tij vijnë Laosi me 33%, Kamboxhia me 19%, Australia me 18% dhe SHBA me rreth 17%.
Ekspertët e lidhin këtë rritje kryesisht me situatën në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e eksporteve të energjisë nga Gjiri Persik drejt tregjeve ndërkombëtare. Që nga fillimi i konfliktit, lëvizja e anijeve në këtë zonë është kufizuar ndjeshëm.
Përballë krizës energjetike, disa vende kanë ndërmarrë masa emergjente. Japonia ka kërkuar përgatitjen për lirimin e rezervave strategjike të naftës, ndërsa Koreja e Jugut ka vendosur për herë të parë në 30 vite një kufizim të çmimeve të karburanteve.
Në Azinë Jugore, situata është edhe më e vështirë për shkak të rezervave të kufizuara financiare dhe energjetike. Bangladeshi ka urdhëruar mbylljen e universiteteve për të kursyer energji, ndërsa Pakistani ka reduktuar javën e punës në administratë në katër ditë dhe ka aplikuar punën në distancë për të ulur konsumin e karburantit.
Ndërkohë në Evropë, ministrat e financave të vendeve të G7 zhvilluan një takim urgjent për të diskutuar situatën në tregjet e energjisë. Presidenti francez Emmanuel Macron ka përmendur edhe mundësinë e lirimit të 20–30% të rezervave strategjike të naftës për të lehtësuar presionin mbi konsumatorët.










