Luana Bajrami fiton “Oscar” për filmin e shkurtër “Two People Exchanging Saliva”

Regjisorja dhe aktorja kosovare me famë ndërkombëtare, Luana Bajrami, është ngjitur në skenën prestigjioze të ceremonisë “Oscar”, ku së bashku me ekipin e filmit të saj “Two People Exchanging Saliva” ka marrë çmimin për “Filmin më të mirë të shkurtër”.

Mes emocioneve të mëdha gjatë ceremonisë, ekipi i filmit përmendi edhe prejardhjen nga Kosova të Bajramit, duke theksuar se projekti është realizuar nga një ekip ku shumica janë gra krijuese.

Filmi zhvillohet në një Paris të pazakontë, ku puthjet janë të ndaluara me ligj. Historia paraqet një realitet absurd dhe të ftohtë, ku personazhet përballen me rregulla të çuditshme dhe kufizime të pazakonta shoqërore.

Kjo fitore e vendos emrin e Luana Bajramit në skenën më të madhe të kinematografisë botërore, duke shënuar një sukses të rëndësishëm për artin shqiptar dhe kosovar.