Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Një kallëzim i depozituar në muajin shkurt të vitit 2024 nga ish-ortaku i tij në biznes, Aredin Behari, e ka rikthyer sërish në Prokurorinë e Posaçme deputetin e Partisë Demokratike, Luan Baçi.
Baçi është paraqitur këtë të premte në ambientet e SPAK i shoqëruar nga avokati i tij, Sokol Mëngjesi. Deputeti demokrat ka qëndruar rreth 30 minuta në Prokurorinë e Posaçme, përpara se të largohej nga godina.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se paraqitja e tij lidhet me kallëzimin e bërë nga ish-ortaku Aredin Behari, ndërsa nuk janë bërë ende publike detaje të tjera mbi ecurinë e procedimit.










