Linja hekurudhore drejt Aeroportit të Vlorës, gati për fazën e ndërtimit në 2026

Projekti për modernizimin e hekurudhës Rrogozhinë–Vlorë dhe ndërtimin e degëzimit që do të lidhë qytetin me Aeroportin e Vlorës po hyn në fazën vendimtare. Sipas Hekurudhës Shqiptare, deri në qershor të vitit 2026 do të përfundojë studimi teknik dhe projekti paraprak, çka i hap rrugë shpalljes së tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e linjës.

Autoritetet sqarojnë se pas përfundimit të këtij dokumentacioni do të përcaktohet trasa për lidhjen hekurudhore me aeroportin, si dhe parametrat teknikë të gjithë aksit. Ndërkohë, mbetet në diskutim burimi i financimit, i cili mund të vijë ose nga buxheti i shtetit, ose përmes fondeve të huaja.

Studimi po realizohet nga kompania austriake ILF Consulting Engineers Austria, e shpallur fituese e kontratës vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, linja aktuale Rrogozhinë–Vlorë, me gjatësi mbi 84 kilometra, është e amortizuar dhe funksionon larg kapacitetit të saj real, ndaj kërkon një ndërhyrje të thellë rehabilituese.

Në të njëjtën kohë, parashikohet ndërtimi i një linje të re hekurudhore drejt aeroportit, e cila do të jetë elektrike dhe do të lejojë shpejtësi deri në 120 km/orë. Ky investim pritet të kthejë zonën në një nyje të rëndësishme transporti.

Sipas Hekurudhës Shqiptare, lidhja direkte mes trenit dhe avionit do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e udhëtarëve, duke e bërë udhëtimin më të shpejtë, më të sigurt dhe më miqësor me mjedisin. Po ashtu, synohet rritja e sigurisë në transport dhe ulja e ndjeshme e aksidenteve në rrugë.