Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se brenda këtij viti do të miratohet ligji i ri për produktet “Made in Albania”, i cili synon të promovojë prodhimin vendas dhe të rrisë eksportet e produkteve shqiptare.
Sipas Ibrahimajt, ligji do të krijojë një kuadër të ri për ndërtimin dhe mbrojtjen e markës “Made in Albania”, si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
“Ky ligj synon promovimin e produkteve vendase brenda dhe jashtë vendit, ndërtimin dhe mbrojtjen e brandit ‘Made in Albania’ dhe nxitjen e eksporteve të produktit shqiptar,” u shpreh ministrja.
Bizneset shqiptare do të mbështeten gjithashtu përmes Bankës së Zhvillimit, e cila do të ofrojë instrumente financiare për investime, certifikim produktesh, teknologji dhe digjitalizim, me fokus të veçantë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Në lidhje me sektorin fason, që prej vitesh ndodhet në vështirësi, Ibrahimaj theksoi se kjo industri ka nevojë për reformim të thellë, duke përfshirë modernizimin e makinerive, automatizimin dhe kalimin drejt prodhimit me cikël të mbyllur.
“Ky sektor duhet të kalojë nga thjesht përpunimi në prodhim të plotë, dhe ne jemi të gatshëm ta mbështesim në këtë drejtim,” tha ajo.
Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se viti 2025 është mbyllur me bilanc negativ në tregtinë e jashtme. Eksportet arritën në 3.4 miliardë euro, me rënie 6.1% krahasuar me vitin 2024, kur shënuan 3.6 miliardë euro.










