Erald Çepele, anëtar i Këshillit Bashkiak Patos dhe përfaqësues i Njësisë Administrative Zharrëz, i është drejtuar me një letër të hapur qytetarëve dhe Bashkisë Patos, në prag të miratimit të buxhetit vendor për vitin 2026.
Në letrën e tij, Çepele shpreh shqetësimin se në projektbuxhetin e vitit 2026 nuk është parashikuar asnjë investim konkret për Njësinë Zharrëz, ndërsa sipas tij kjo situatë përsëritet për të tretin vit radhazi. Ai thekson se rrugët e zonës renditen çdo vit si prioritare, por nuk realizohen, ndërkohë që ndërhyrjet ndryshojnë pa transparencë dhe pa një plan të qartë zbatimi.
Çepele nënvizon se nga viti 2015 deri në 2025, Zharrëza ka kontribuar në buxhetin e Bashkisë Patos me rreth 10 miliardë lekë të vjetra, por sipas tij, zona nuk ka përfituar as 30% të investimeve që i takojnë. Ai kritikon gjithashtu investimet e kryera ndër vite, duke i cilësuar si simbolike, pa standarde ndërtimi dhe pa përfshirje të komunitetit.
Në letër renditen rrugët që Bashkia i ka shpallur prioritare për vitin 2026, por që sipas Çepeles kanë qenë në lista edhe në vitet 2023–2025 pa u realizuar, si dhe një listë e gjatë kërkesash konkrete nga qytetarët e Zharrëzës, Verbasit, Frashërit, Fshatit të Ri, Sheqishtes dhe Belinës, që përfshijnë shtrime rrugësh, pastrim kanalesh, ujësjellës, ndriçim, hapësira sportive dhe shërbime shëndetësore.
Ai vë në dyshim edhe dëgjesat publike, duke theksuar se prej vitesh marrin pjesë të njëjtët pak persona dhe se zëri i shumicës së banorëve nuk dëgjohet.
Në përfundim, Çepele deklaron publikisht se do të votojë kundër buxhetit të vitit 2026, nëse kërkesat e komunitetit nuk merren parasysh, dhe i bën thirrje Kryetarit të Bashkisë Patos që të mos e lërë Zharrëzën dhe njësitë përreth në plan të dytë.
“Buxheti i vitit 2026 duhet të jetë një kontratë reale me qytetarët, jo thjesht një listë dëshirash,” thekson ai në letrën e hapur.
Erald Cepele anetar i keshillit Patos qe perfaqeson zharrezen i drejtohet me nje leter te hapur bashkise patos
LETËR E HAPUR
Për qytetarët e Zharrëzës dhe Bashkinë Patos
Të nderuar banorë të Zharrëzës,
Të nderuar përfaqësues të Bashkisë Patos,
Në prag të miratimit të buxhetit të Bashkisë Patos për vitin 2026, ndjej detyrimin moral dhe qytetar t’ju drejtohem hapur, me transparencë të plotë mbi situatën reale të komunitetit tonë dhe mbi kërkesat e përsëritura të banorëve të Njësisë Administrative Zharrëz.
Pasi më erdhi projekti përfundimtar i buxhetit të vitit 2026, i cili pritet të kalojë në votim më 17 dhjetor, vura re se për Njësinë Administrative Zharrëz nuk ishte parashikuar asnjë investim konkret për këtë vit. Projekti përmban vetëm një listë me rrugët prioritare, pa asnjë plan të qartë për zbatim.
Kjo situatë përsëritet për të tretin vit radhazi: rrugët e Njësisë Zharrëz renditen në listën e prioriteteve, por më pas ndryshojnë rrugës. Bëhet blerje materiale asfalto-beton për shtrimin e rrugëve nga Bashkia çdo vit dhe ndërhyrjet ndryshojnë sipas orientimit të kryetarit ose sipas situatës së momentit, dhe qytetarët mbeten pa informacion të qartë mbi investimet reale.
Që nga viti 2015, kur Njësia Zharrëz u bashkua me Bashkinë Patos, komuniteti ynë kontribon me taksa, tarifa, renta minerare etj me afro 1 miliard lekë të vjetra në vit, ose rreth 10 miliard lekë për 10 vite 2015-2025, në arkën e Bashkisë Patos.
Mirëpo, nga gjithë ky kontribut, Zharrëza nuk ka marrë as 30% të investimeve që i takojnë. Përveç disa projekteve simbolike të kryera nga kompania Bankers e cila operon në zonën e nxjerrjes së naftës në komunitetin tonë dhe kontribon çdo vit me një fond prej rreth 100 mijë dollarë në vit për përmirësimin e infrastrukturës së komunitetit, këto investime nuk kanë respektuar asnjë standard të ndërtimit, nuk janë transparente dhe nuk kanë përfshirë qytetarët në vendimmarrje. Për shembull, janë shtruar disa rrugë të ngushta dhe pa cilësi.
Çfarë ka planifikuar Bashkia për vitin 2026 për Njësinë Zharrëz
Bashkia ka identifikuar si prioritare disa rrugë, të cilat do të jenë te prioritet e saj për vitin e ardhshën, por këto rrugë kanë qënë te prioritetet edhe në vitet 2023, 2024 dhe 2025 dhe nuk janë realizuar si investime!!
1. Rruga Halit Gjiriti
2. Rruga Shollaj
3. Rruga Diellaj
4. Rruga Baraçallarët
5. Rruga Hajdinaj
6. Rruga Qendër
7. Rruga Çobanët
8. Rruga Gjerbacaku
9. Rruga Belulaj
10. Rruga Zabia
11. Rruga Muharrem Agolli
Por këto nuk mjaftojnë për nevojat reale të komunitetit tonë janë akoma më të shumta. Zharrëza dhe njësitë përreth kanë nevojë për më shumë: rrugë të brendshme, ujë, ndriçim, hapësira sportive, kanale etj. Dëgjesat publike nuk mund të quhen transparente kur prej 10 vitesh marrin pjesë të njëjtët 10-15 persona. Zëri i shumicës së qytetarëve nuk dëgjohet. Bashkia nuk është vetëm “Lagjja e Re” – ajo është edhe Zharrëza, Verbas, Frashër, Fshati i Ri (Novosela), Sheqishtja dhe Belina, që kontribojnë dhe meritojnë investime të barabarta.
Më poshtë po rendis kërkesat konkrete të cilat kanë qytetarët për vitin 2026:
• Shtrimi i rrugës nga Dalip Barjamaj deri te sektori nr.6 i Albpetrolit
• Shtrimi i rrugës te Ferranjakët në Fshatin e Ri (Novosel)
• Shtrimi i rrugës nga Artem Rusto deri te sektori i parë në Fshatin e Ri, përbri kanalit vaditës
• Shtrimi i rrugës nga Ylli Baha deri te sektori nr.6 i Albpetrolit
• Shtrimi i rrugës nga grupi i Albpetrolit (Dashnor Selimi – Xhepaj) deri te sektori nr.6 i Albpetrolit
• Shtrimi i rrugës te Amza Luari në Zharrëz
• Shtrimi i rrugës nga Fuat Bani deri te Çolet në Zharrëz
• Shtrimi i rrugës te Agron Qerimaj, te ish-stallat në Verbas
• Shtrimi i rrugës te Qerimajt në Verbas, anës përroit
• Shtrimi i rrugës te Laçenjt deri te ish-konfiskati (Firma Driza)
• Shtrimi i rrugës nga Kurteshi Shpk deri te Lajthitë e Jani Semanjakut (unaza bujqësore)
• Shtrimi i rrugës brendshme në Verbas te Maksim Çepele
• Shtrimi i rrugës nga Varrezat e Verbasit deri pas kodrës te Haredin Meraj
• Shtrimi i rrugës nga Varrezat e Zharrëzës deri te lokali i Lencit
• Shtrimi i rrugës së Majmërisë në Verbas
• Shtrimi i rrugës nga Niku Gjini në Frashër deri te Varrezat e Sheqishtes
• Shtrimi i rrugëve të parcelave në Frashër, Verbas, Novosel, Zharrëz, Sheqishtë dhe Belinë
• Pastrimi dhe mirëmbajtja e përroit të Zharrëzës, Frashërit dhe segmentit Dukas – Verbas
• Pastrimi i vazhdueshm i kanaleve kulluese
• Përfundimi i kanalizimeve të ujërave të zeza në Verbas
• Ndërtimi i një qendre të re shëndetësore në Frashër
• Sistemimi i hapësirave midis pallateve dykatëshe në Fshatin e Ri (Novosel), përballë Njësisë Administrative
• Rregullimi i fushave të sportit në Verbas dhe Frashër
Është koha që buxheti i vitit 2026 të mos jetë vetëm një listë dëshirash, por një kontratë me qytetarët, me afate të qarta, burime financiare të përcaktuara dhe zbatim real të projekteve.
Si përfaqësues i komunitetit në Këshillin Bashkiak, deklaroj hapur se: në rast se këto kërkesa të drejta nuk merren parasysh në buxhetin e vitit 2026, unë do të votoj kundër këtij buxheti.
I bëj thirrje të hapur Kryetarit të Bashkisë të dëgjojë komunitetin dhe të mos e lërë Zharrëzën, Verbasin, Frashërin, Fshatin e Ri, Sheqishten dhe Belinën në plan të dytë. Zharrëza nuk kërkon favore, por kërkon atë që i takon.











