Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende një vendim për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Trupa prej tetë gjyqtarësh vendosi këtë të martë të shtyjë vendimmarrjen, duke e kaluar çështjen për shqyrtim në një seancë të ardhshme.
Në seancën ku u analizua ankimi i kryeministrit Edi Rama, gjyqtarët nuk arritën në një qëndrim përfundimtar, ndaj u vendos që procesi të vijojë me diskutime të tjera në ditët në vijim.
Ky vendim është i rëndësishëm edhe për Kuvendin, pasi Këshilli i Mandateve ka pezulluar mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, në pritje të verdiktit të Kushtetueses.
Rasti ka hapur një debat të fortë institucional, pasi për herë të parë një ministër është pezulluar nga detyra pas një kërkese të SPAK, duke krijuar një situatë të paprecedentë në praktikën shtetërore.
Qeveria i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar interpretimin e nenit 103 të Kushtetutës, që përcakton statusin e imunitetit të anëtarëve të qeverisë. Sipas ekzekutivit, duhet sqaruar nëse një ministër mund të pezullohet nga gjykata pa miratimin e Kryeministrit.
Në krahun tjetër, prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kanë hedhur poshtë këtë pretendim, duke deklaruar se nuk ka konflikt mes pushteteve dhe se pezullimi nuk është kompetencë e Kryeministrit.
Gjykata do të duhet të shprehet edhe mbi çështjen nëse një ministër gëzon imunitet të barabartë me atë të deputetit dhe nëse është shkelur ndarja e pushteteve.
Ndërkohë, SPAK i ka drejtuar Kuvendit kërkesë për autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut, duke e futur çështjen në një fazë vendimtare politike dhe ligjore.










