Ballina Ekonomi Kursi Euro-Lek arrin minimum të ri historik

Kursi Euro-Lek arrin minimum të ri historik

Kursi i këmbimit Euro-Lek po shfaq tendenca të mëtejshme në rënie gjatë kësaj jave. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 96.46 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.Sipas agjentëve të këmbimit valutor, në ditët e fundit në treg ka ofertë të shtuar të valutës së huaj, çka përfaqëson një tendencë pak a shumë të zakonshme sezonale. Në veçanti, kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit sjell flukse më të larta të monedhës europiane.

Rënia vjetore e kursit ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me vitet e mëparshme. Kundrejt të njëjtës datë të vitit të kaluar, kursi Euro-Lek rezulton në rënie me 2.1%.

Megjithatë, ecuria më e stabilizuar e kursit gjatë këtij viti i detyrohet më shumë ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë sesa forcave të tregut.

Nga informacionet e deritanishme, Banka Qendrore ka kryer blerje të mëdha të valutës edhe gjatë vitit 2025. Deri në fund të 9-mujorit, këto blerje kishin vlerën e rreth 800 milionë eurove, ndërsa për vitin 2024 kishte blerë 933 milionë euro të tjera. Në mungesë të ndërhyrjeve të bankës së Shqipërisë kursi i këmbimit të monedhës europiane me siguri do të kishte arritur nivele edhe më të ulëta në raport me Lekun.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm për vitin 2026. Sipas informacioneve nga Banka Qendrore, ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.

Shumat e mësipërme nuk përfshijnë blerjet e mundshme për qëllime të ndërhyrjes në tregun valutor, në funksion të stabilizimit të tregut apo objektivave të politikës monetare.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë argumenton se synimi i ndërhyrjeve të saj nuk ka është mbrojtja e ndonjë niveli të caktuar të kursit të këmbimit, por amortizimi i shpejtësisë së ndodhjes së këtij fenomeni. Përmbushja e këtij objektivi u gjykua e dobishme, sepse cektësia e tregut të brendshëm valutor ishte premisë për një volatilitet të shtuar të kursit dhe – në raste ekstreme -potencialisht edhe për shmangie të tij nga fondamentet. Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ndërhyrje nuk cenon regjimin valutor të kursit të lirë të aplikuar në Shqipëri.

Një ndikim shtesë në forcimin e Lekut edhe këtë vit ka luajtur politika fiskale shtrënguese e qeverisë shqiptare, karakterizuar nga një suficit i gjerë buxhetor. Për 10-mujorin 2025, ky suficit arriti vlerën e pothuajse 49 miliardë lekëve. Siç ka ndodhur rregullisht në vitet e fundit, pritet që deficiti buxhetor të shpenzohet i gjithi në ditët e fundit të dhjetorit. Kjo mund të sjellë një ringritje të përkohshme të kursit të Euros gjatë ditëve në vazhdim