Zohran Mamdan, kryetari i ri i Bashkisë së New York-ut shfaqet me shqiponjë. Janë këto fotografi që po kthehen virale në internet, të shkrepura nga i riu me origjinë shqiptare, Erzen Gashi.
Një 37-vjeçar me origjinë shqiptare – i lindur në Slloveni, i rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me baba nga Kosova dhe nënë nga Mali i Zi – ka treguar për Top Channel për takimin e tij me Zohran Mamdan, të riun mysliman me prejardhje afrikano-indiane që fitoi zgjedhjet në New York, në një garë që është cilësuar historike.
“Fotot e Mamdanit ia kam bërë falë një shoku tim, Dritan Fida, që më thirri për një event me komunitetin shqiptar. Ai donte të dinte më shumë për ne, sepse këtu jemi shumë shqiptarë. Duket njeri i vërtetë, i mirë dhe i ëmbël… kollaj mund të flasësh me të, të bësh shoqëri me të,” – tregon Gashi, që jeton në New York prej tri dekadash.
Sipas tij, fitorja e Mamdan është pritur me shumë entuziazëm nga komuniteti shqiptar.
“Fola pak me të. I tregova që jam mysliman dhe emigrant. Shqiptarët këtu janë për të, kanë besim. Ka kohë që nuk ka pasur një atmosferë kaq të mirë. Jetoj prej 30 vitesh në këtë qytet dhe e kam parë duke u bërë më i vështirë, me çmime e shpenzime të larta… Tash emigrantët kanë frikë në gjithë Amerikën, dhe besojmë se ai do të na mbrojë,” – shprehet Gashi.
Fotografia me shqiponjën shqiptare, sipas tij, është kthyer në simbol të shpresës dhe bashkimit. Edhe pse ka studiuar për sektorin shëndetësor dhe punon në një spital, pasioni i tij mbetet fotografia.
“Ja kam dërguar fotot që i bëra atë ditë dhe i kam thënë: nëse keni nevojë prapë, kisha pasur shumë qejf të bashkëpunoja. Më shumë dua fotot dhe videot sesa punën që bëj,” – përfundon ai me buzëqeshje.











