Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 29 korrik vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Fierit, Genci Mane. Kryesuesja e trupit gjykues të KPA, Mimoza Tasi lexoi në mënyrë të përmbledhur argumentet e vendimarrjes për shkarkimin e Manes, duke e konsideruar atë të papërshtatshëm për të vijuar detyrën.
Ashtu si institucioni Komisionerëve Publikë dhe drejtuesi i SPAK, edhe Kolegji ka arritur në përfundimin e se prindërit e subjektit nuk kanë pasur mundësi financiare t’i jepnin atij shumën 1.7 milionë, vlerë që sipas subjektit i ishte dhënë për shkak tëë heqjes dorë nga ana e tij prej pjesës takuese në banesën në Berat. Sipas KPA, Mane nuk provoi me dokumentacion justifikues ligjor të ardhurat e babait nga puna pranë një shoqërie, ndërkohë që vlera 1.7 milionë lekë e pretenduar si e përfituar nga pjesa takuese e banesës, vlerësohet se është disa herë më e lartë se çmimi referencës.
Po ashtu, Koelgji konstatoi se kërkesa për çeljen e trashëgimisë është bërë pas kalimit të barrës gjatë hetimit administrative në KPK, ndërsa dhurimi i pjesës takuese është kryer në vitin 2024, pasi ishte ushtruar ankim nga ana e institucionit të Komisionerëve Publikë.
Ashtu si në ankim, edhe Kolegji vlerëson se vlera e apartamentit në Fier e blerë nga subjekti, është nën çmimin e tregut të lirë sipas përcaktimeve të Entit Kombëtar të Banesave. Kontratat e shitbblerjeve të disa apartamenteve në të njëjtin objekt ndërtimi të vendosura në dispozicion nga subjekti, u çmua se nuk mund ta përmysnin gjetjen e Komisionerit Publik, pasi sipas KPA, treguan një çmim mesatar më të lartë nga sa e ka blerë shtëpinë Mane.
Trupi gjykues i Kolegjit, arrin në përfundimin se subjekti mungesë burimesh për pagesën e këstit të parë të apartamentit dhe se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, duke mos arritur nivel të besueshëm në këtë kriter.
KPA ka gjetur të bazuar edhe shkakun e ankimit lidhur me përfitimin e një kredie të butë nga subjekti, duke konstatuar se është marrë në kundërshtim me legjislacionin përkatës. Sipas Kolegjit, subjekti në aplikimin për këtë kredi ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë pasuri, duke mos treguar të vërtetën se kishte pjesë takuese në apartamentin dhe truallin në Berat. po ashtu, ka rezultuar se të ardhurat e familjes së tij nuk kanë qenë të ulëta ashtu si kërkohej. Këto rrethana janë konsideruar në vlerësimin tërësor.
Po ashtu, Kolegji ka gjetur të drejtë edhe shkakun përsa i përket një kontrate furnizimi me energji elektrike në emër të subjektit, të cilën Mane e kundërshtoi duke pretenduar se ishte fictive dhe ishte realizuar pa dijeninë e tij nga punonjësit e OSHEE-së, për shkarkimin e faturave. Sipas Kolegjit, subjekti nuk e përmbysi dot barrën e provës se kjo kontratë nuk ishte e tij. Kryesuesja Tase konstatoi se Mane u shpreh indifferent për zbulimin e të vërtetës lidhur me këtë rrethanë. Ndërkohë, gjatë shpalljes së vendimit u evidentua se, sipas akteve të administruara, ka rezultuar se kontrata e regjistruar në emër të Manes ka vijuar derisa është pezulluar me kërkesë të tij. Për këtë kontratë është konstatuar se ka pasur faturim energjie në mars 2012, që nga vlera e shpenzuar duket se ka qenë njësi dhe jo apartament. Sipas KPA, mosgjetja e kopjes së kontratës, nuk provon fiktivitetin e kontratës si e pretendon subjekti. Edhe këto rrethana janë konsideruar nga KPK në vlerësimin tërësor.
Kolegji e gjen të pabazuar pretendimin e drejtuesit të SPAK për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm lidhur me konstatimin për mosdeklarimin e përdorimit të automjeteve në deklaratën veting, pasi në atë periudhë ka rezultuar se nuk i ka pasur në përdorim.
Edhe mangësitë e konstatuara në aspektin profesional nuk janë gjetur të mjaftueshme për të sjellë penalizimin, por janë konsideruar në vlerësimin tërësor.
KPA çmon se problemet për pasurinë, sjellja e subjektit në drejtim të probleme të konstatuara për kontratën e energjisë, paraqitja e të dhënave të pavërteta për kredinë, si dhe mangësitë e konstatuara në aspektin profesiona, në sytë e një vëzhguesi të jashtëm të dhëna të mjaftueshme për cënimin e besimit tek sistemi i drejtësisë.
Përfundimisht, Kolegji vlerëson se prokurori Genci Mane është i papërshtatshëm për të vijuar detyrën dhe e shkarkoi atë.
Edmond Hoxhaj , BIRN