Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme mes Shtetet e Bashkuara, Izraelit dhe Iranit po shtyn çmimet globale të naftës drejt niveleve rekord. Frika kryesore lidhet me mundësinë e një ndërprerjeje të zgjatur të transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më strategjike të energjisë në botë, nga e cila kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë.
Tensionet kanë shtyrë çmimin e naftës pranë nivelit të 120 dollarëve për fuçi për herë të parë që nga viti 2022, duke shkaktuar luhatje të forta në tregjet financiare ndërkombëtare. Në Korenë e Jugut, indeksi kryesor i bursës KOSPI aktivizoi mekanizmin e “ndërprerësit të qarkut” pasi shënoi një rënie mbi 8%, duke detyruar ndalimin e tregtimit për 20 minuta.
Presioni më i madh u ndje te gjigantët teknologjikë të vendit. Aksionet e Samsung Electronics ranë me më shumë se 10%, ndërsa ato të SK Hynix pësuan një rënie prej 12.3%.
Tregjet e energjisë reaguan menjëherë pasi disa vende të Lindjes së Mesme reduktuan prodhimin dhe u rritën rreziqet për transportin në Ngushticën e Hormuzit. Kontratat e ardhshme të naftës Brent u rritën me 26.1%, duke arritur në 116.08 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e naftës amerikane WTI u rritën me 27.6% në 116.03 dollarë për fuçi – rritja më e madhe njëditore që nga fundi i vitit 1988.
Analistët paralajmërojnë se nëse tensionet vazhdojnë dhe rrjedhat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit nuk rifillojnë normalisht, çmimet mund të kalojnë shpejt kufirin e 120–130 dollarëve për fuçi. Edhe nëse konflikti përfundon shpejt, ekspertët theksojnë se konsumatorët dhe bizneset në mbarë botën mund të përballen për javë apo muaj me çmime të larta të karburantit.









