Ballina Shqiperia ime Komisioni Rregullator vulos sot rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit

Komisioni Rregullator vulos sot rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit

Komisioni Rregullator do t’i vendosë sot ‘kapak’ përfundimisht rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit. Gjatë mbledhjes që do të nisë në orën 11:30, Komisioni do të miratojë numrin e votave, të mandateve dhe listave emërore për çdo subjekt zgjedhor për çdo zonë zgjedhore dhe në rang vendi. 

Pas miratimit të rezultatit zgjedhor, do të jetë presidenti Bajram Begaj, i cili do të dekretojë fillimin e legjislaturës së 11-të brenda 10 ditëve nga përfundimi i Kuvendit të vjetër. Pritet mbledhja e parë të Kuvendit të ri, e cila do të shënojë edhe fillimin zyrtar të legjislaturës së re për katër vitet e ardhshme.

Nga zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste mori 83 mandate, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore 50 mandate. Partia Socialdemokrate tre deputetë, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat. 

11 maji, pas fitores së thellë të socialistëve, u shoqërua me akuza për vjedhje zgjedhjesh nga PD. Rinumërimi në qarkun e Tiranës reflektoi gabime njerëzore, por pa ndryshim në rezultat. Rinumërimi i Fierit i dha mandat me 10 vota diferencë Maldrita Bardhos, por kjo e fundit e refuzoi, duke Ia lënë karrigen Zegjine Caushit, e cila kishte fituar në raundin e parë të numërimit.

Në Durrës, kutitë që u hapën nuk i dhanë Aulon Kalasë votat e duhura për t’i marrë mandatin ish-prokurorit Arjan Ndoja. 

‘Kaos’ pati edhe brenda koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, mandati i vetëm i së cilës përplasi publikisht Adriatik Lapajn dhe Endri Shabanin. Edhe kësaj ‘sage’, Kolegji Zgjedhor i dha fund pak ditë më parë, duke ia dhënë mandatin Ana Dajkos, dhe duke lënë jashtë kuvendit Lapajn.