Ballina Shqiperia ime Kodi i ri Penal-Kush nuk deklaron cashin ne kufi rrezikon 3 muaj...

Kodi i ri Penal-Kush nuk deklaron cashin ne kufi rrezikon 3 muaj burg

Kodi i ri Penal i hedhur për konsultim publik parashikon ashpërsim të masave sa i takon shkeljeve doganore. Konkretisht, kontrabanda është një ndër shkeljet që dënohet deri në 5 vite burg.

Sipas nenit 615 të draftit, “hyrja apo dalja e mallrave, në ose nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, pa i paraqitur ato tek autoritetet doganore, kryer për t’iu shmangur kontrollit dhe/ose mbikëqyrjes doganore përbën kontrabandë dhe dënohet me burgim 1-5 vjet burg dhe konfiskimin e mallit kontrabandë.

Ndërkohë kur kjo vepër penale është bërë me mallra të ndaluara që qarkullojnë për shkak të kufizimeve ligjore, dënohet me burgim 2-7 vjet dhe konfiskimin e mallit kontrabandë dhe mjetit te transportit te tyre.

Po ashtu,  neni 616 përcakton se  “vendosja e mallrave në magazinimin e përkohshëm, në një regjim doganor ose rieksport pas përfundimit të magazinimit të përkohshëm, nëpërmjet:  fshehjes së plotë ose të pjesshme; deklarimit të rremë të llojit, vlerës dhe origjinës së mallrave, duke paraqitur fatura, certifikata ose çdo lloji tjetër dokumenti të rremë, të pasaktë, të paplotë ose të pazbatueshëm;  paraqitjes së një deklarate të rreme ose kryerjes së çdo veprimi, që ka për qëllim shmangien nga detyrimet e importit apo eksportit, përftimin pjesor a tërësor të një rimbursimi apo reduktimi nga tarifat doganore, taksat, tatimet, akciza ose të një avantazhi të çfarëdoshëm që lidhet me mallrat, përbën kontrabandë dhe dënohet me burgim nga 1-5 vjet dhe, konfiskimin e mallit kontrabandë dhe mjetit te transportit te tyre.

Në projektligj përcaktohet se “Thyerja apo heqja e vulës doganore, zëvendësimi, ndërrimi ose falsifikimi i shenjave e tjera të sigurisë të vendosura nga autoritetet doganore për qëllime mbikëqyrjeje, kontrolli ose, për pezullimin e veprimtarisë tregtare në mjediset ekonomike apo të vendosura mbi mjetin e transportit apo mallra, ose falsifikimi në çfarëdo mënyre i numrit të identifikimit të mjetit të transportit, të bëra me qëllim shmangien nga kontrolli doganor, dënohet me gjobë ose me burgim nga 2-4 vjet.

Ashpërsim të masave ka edhe sa i takon mosdeklarimit të parave në kufi.

Referuar nenit 624, “ Mosdeklarimi, në hyrje ose dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, i shumave në të holla, i çdo lloj instrumenti të negociushëm të mbajtësit, metaleve ose gurëve të çmuar si dhe, i sendeve me vlerë dhe objekteve antikë, përtej vlerës së lejuar nga ligji për mosdeklarimin, kur burimi i tyre është i pajustifikuar ligjërisht, nëse nuk përbën vepër penale më të rëndë, përbën kundërvajtje penale dhe, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.