Komisioni Europian ka publikuar progress-raportin 2025 për Shqipërinë, ku vlerësohet se vendi ka ruajtur një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe stabilitet makrofinanciar, ndërkohë që procesi i integrimit në Bashkimin Europian po shoqërohet me reforma të thella në ekonomi, financa dhe administratë.
Komisionerja për zgjerimin në Komisionin Europian, Marta Kos, nëpërmjet një deklarate tha se BE vlerëson ambicien e Shqipërisë, që ka bërë një progres të paprecedentë.
Kryeministri Edi Rama, ka bërë një reagim në rrjetin social X “Po, ja dolëm! Dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për të ulur më në fund si të barabartë rreth tryezës së BE-së. Le të vazhdojmë përpara, së bashku”, shkruan kreu I qeverisë.
Sipas raportit, ekonomia shqiptare u rrit me rreth 4 për qind gjatë vitit 2024, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme dhe turizmi, ndërsa inflacioni ra nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke sinjalizuar stabilitet çmimesh. Borxhi publik vijoi të ulet, ndërsa deficiti buxhetor arriti nivelin më të ulët të dekadës.
Megjithatë, Komisioni nënvizon se rritja mbetet e brishtë për shkak të varësisë së lartë nga importet dhe shërbimet, ndërsa sektori industrial dhe ai bujqësor vazhdojnë të kenë produktivitet të ulët. Pavarësisht përmirësimit të tregut të punës dhe rritjes së pagave, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe emigrimi i të rinjve mbeten sfida të mëdha për ekonominë.
Në raport theksohet se Shqipëria ka përparuar në konsolidimin fiskal, por duhet të përmirësojë ekzekutimin e investimeve publike dhe transparencën e ndërmarrjeve shtetërore. Komisioni kërkon zbatimin e plotë të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe reduktimin e përjashtimeve tatimore, si dhe forcimin e menaxhimit financiar dhe të auditimit për përdorimin efektiv të fondeve të BE-së.











