Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit Mario Cela, vellai Suel Celes, ekstraduar nga Belgjika

Mario Çela, vëllai i Suel Çelës, është ekstraduar nga Belgjika dhe ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, pasi ishte arrestuar nga autoritetet belge në nëntor të vitit 2024. Ndërkohë, Suel Çela vijon të jetë person i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare.

Sipas SPAK, Suel Çela është identifikuar si drejtues i një organizate kriminale të strukturuar, e cila dyshohet se ka qenë e përfshirë në menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve të rënda kriminale, përfshirë vrasje me paramendim, trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike, korrupsion dhe skema të pastrimit të parave. Anëtarë të tjerë të organizatës kishin role operative dhe janë përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin dhe ekzekutimin e këtyre veprave penale.

Nga hetimet e kryera, SPAK ka dokumentuar tentativa për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës. Konkretisht, bëhet fjalë për një tentativë për trafikimin e rreth 930 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Evropës në dhjetor të vitit 2020, si dhe një tjetër tentativë për trafikimin e 466 kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Holandës në janar të vitit 2021.