Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të preferuar jo vetëm për pushime verore, por edhe për… blerje ari dhe argjendi. Një numër gjithnjë në rritje turistësh, veçanërisht nga Britania e Madhe, Gjermania, Çekia dhe Polonia, po vizitojnë argjendaritë shqiptare për të blerë bizhuteri me përmbajtje të lartë floriri.
“Pa diskutim që kohët e fundit ka pasur një fluks të lartë të turistëve në Shqipëri duke shfaqur interes në sektorin e argjendarisë. Preferohen më shumë Serm dhe punimet artizanale, që janë më tërheqëse për turistët e huaj,” – thotë Sentila Kernaja, pronare e një argjendarie në Tiranë.
Karati bën diferencën: Shqipëria ofron më shumë cilësi
Ndryshe nga shumë vende europiane ku dominojnë bizhuteritë me karat më të ulët, Shqipëria ofron flori 14K dhe 18K, që konsiderohet cilësi më e lartë dhe më e dëshirueshme nga turistët.
“Arsyeja pse ata preferojnë të blejnë këtu është sepse në vendet e tyre, si Anglia apo Gjermania, përdoret më shumë flori me karatë të ulët. Ndërsa në Shqipëri, ata gjejnë cilësinë që kërkojnë,” – shton Kernaja.
Ari shqiptar, alternativë interesante për investim dhe dhuratë
Ky interes lidhet jo vetëm me vlerën estetike të bizhuterive artizanale, por edhe me rëndësinë e arit si aset i sigurt, në një kohë kur çmimet në tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të rriten.
Për turistët që duan të bëjnë një dhuratë të veçantë, një kujtim nga udhëtimi ose një investim të vogël, argjendaritë shqiptare ofrojnë çmime konkurruese dhe cilësi të lartë.
Turizëm + tregti: Një potencial që po rritet
Kjo prirje po i jep një dimension të ri turizmit në Shqipëri, duke e lidhur me zanatin e vjetër të argjendarisë, punime artizanale dhe ofertën unike që nuk e gjejnë lehtë në vendet e tyre.
Shqipëria jo vetëm që po tërheq me natyrën e saj, por po fiton pikë edhe si një qendër interesante për blerje metalesh të çmuara, sidomos gjatë sezonit turistik.