Ballina Shqiperia ime Jo më veprime cash mbi 1 mln lekë, miratohet rregullorja e re...

Jo më veprime cash mbi 1 mln lekë, miratohet rregullorja e re për zyrat e këmbimit valutor

Banka e Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës ndryshime në rregulloren “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”.Sipas BSH, ndryshimet e propozuara në rregullore synojnë të përmirësojnë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së zyrave të këmbimit valutor. Ato forcojnë kërkesat për reputacionin, integritetin dhe qëndrueshmërinë financiare të subjekteve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Moneyval për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ndryshimet kryesore lidhen me rritjen e kapitalit fillestar, dokumentimin e burimit të kapitalit dhe kërkesat për ushtrimin e aktivitetit, me qëllim forcimin e kërkesave rregullative që ndër të tjera adresojnë edhe hyrjen dhe operimin në treg të subjekteve që plotësojnë kushtet e nevojshme të qëndrueshmërisë financiare, përshtatshmërisë dhe integritetit të strukturave të zotërimit të kapitalit, drejtimit të përgjegjshëm, si dhe zbatimit të kuadrit rregullativ.

Subjektet që kërkojnë licencë do të duhet gjithashtu të justifikojnë origjinën e kapitalit, përfshirë edhe deklaratë noteriale për mungesën e huazimeve.

Futja e konceptit të “pronarëve përfitues”në rregulloren e re kërkon identifikimin e pronarëve përfitues dhe regjistrimin e tyre në sistemin përkatës, si pjesë e dokumentacionit të licencimit.

Rregullorja vendos kriter arsimor minimal për administratorët: diploma master ose ekuivalente në fushën e arsimit. Gjithashtu, parashikohet verifikimi i reputacionit të mirë si kusht për miratimin e licencës.

Sistemi ERRS (Elektronik i Raportimit Rregullator) përmendet si kanali i ri për raportimet. Rregullorja përcakton gjithashtu bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, në kuadër të analizës së aplikimeve dhe veprimtarive të subjekteve.

Për të frenuar qarkullimin informal të parasë, transaksionet cash mbi 1 milion lekë do të lejohen vetëm nëpërmjet llogarive bankare. Gjithashtu, ndalohet mbajtja ditore e shumave cash mbi nivelin e kapitalit fillestar.

Gjithashtu sipas ndryshimeve rriten gjobat maksimale nga 100 mijë në 1 milion lekë për shkelje të ndryshme. Pezullimi i licencës zgjatet në tre muaj, me ndalim të plotë të aktivitetit gjatë kësaj periudhe.

Po kështu, subjektet që ndërpresin aktivitetin për periudha 1–3 mujore do të duhet të njoftojnë zyrtarisht dhe të ndjekin një procedurë të veçantë dokumentacioni. Është parashikuar edhe mundësia për rifillim të shqyrtimit të licencës me dokumente të reja brenda 30 ditëve.

Tarifat për licencim dhe pajisje me kartë kambisti dyfishohen, duke shkuar në 3,000 lekë dhe 1,000 lekë përkatësisht.