Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump janë rikthyer të vizitojnë Shqipërinë, duke shijuar fillimin e verës në bregdetin e Vlorës.
Vizita e çiftit Trump-Kushner, ndonëse e pazbuluar në mënyrë zyrtare, mendohet të jetë një kombinim mes pushimeve dhe interesave të mundshme të investimeve të lidhura me projektin e ishullit të Sazanit.

Vizita e çiftit vjen në kohën kur mediat ndërkombëtare kanë rikthyer vëmendjen mbi projektin e paralajmëruar nga Kushner për ndërtimin e një resorti ultra-luksoz në ishullin e Sazanit. Projekti, me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, synon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zone gastronomike dhe akomodimi në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.
Sazani, ish-bazë ushtarake me 562 hektarë, është nxjerrë tashmë nga përdorimi ushtarak në dhjetor të vitit të kaluar, duke hapur rrugë për zhvillimin turistik të zonës.
Në një intervistë të dhënë për Bloomberg në mars 2024, Kushner e përshkroi Sazanin si “një nga vijat bregdetare më të paprekura dhe unike në botë”, duke nënvizuar ambicien për të ndërtuar atje një resort.