Momente frike u regjistruan këtë mëngjes në autostradën Brindisi–Leçe (SS 613), pranë kryqëzimit Tuturano, ku një komando e armatosur sulmoi një furgon të blinduar.
Sipas mediave italiane, autorët hapën zjarr ndaj mjetit dhe pati një shkëmbim zjarri me karabinierët. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.
Dy persona, të dyshuar si anëtarë të bandës, u arrestuan nga karabinierët e komandës provinciale të Leçes, nën drejtimin e kolonelit Andrea Siazzu. Ata u lokalizuan në zonën veriore të Salentos, ku forcat e rendit përqendruan menjëherë kërkimet. Dyshohet se anëtarë të tjerë të grupit janë ende në arrati.
Sulmi nisi kur autorët bllokuan rrugën me një mjet të rëndë dhe më pas hapën zjarr për të izoluar zonën. Gjatë ndjekjes, një plumb goditi një automjet të karabinierëve, duke dëmtuar pjesën e pasagjerëve, ndërsa një tjetër makinë e një oficeri civil doli nga rruga. Asnjë person nuk mbeti i lënduar.
Banditët përdorën eksplozivë për të shkatërruar furgonin e blinduar, duke krijuar një re të madhe tymi, dhe u larguan drejt zonës së Squinzanos.
Pamjet e regjistruara nga drejtues mjetesh tregojnë të paktën gjashtë persona, me fytyra të mbuluara, të veshur me tuta të zeza dhe të bardha, të armatosur me pushkë.
Grabitja nuk u finalizua. Për t’u arratisur, autorët dyshohet se grabitën disa shoferë dhe përdorën makina me drita sinjalizuese për t’u maskuar si automjete policie.
Autostrada SS 613 u mbyll në të dyja drejtimet, nga km 8,300 deri në km 12,800, në zonën e San Pietro Vernotico. Ekipet e Anas dhe forcat e rendit po punojnë për normalizimin e qarkullimit.










