Një tjetër arratisje spektakolare është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Opera, ku i dënuari shqiptar 41-vjeçar, Toma Taulant, është larguar pa lënë gjurmë nga qelia e tij.
Alarmi u dha rreth orës 08:00 të mëngjesit të së dielës, gjatë kontrolleve rutinë, kur oficerët e policisë së burgut konstatuan se Toma nuk ndodhej më në qeli.
Sipas të dhënave hetimore paraprake, ai dyshohet se ka prerë hekurat e dritares, është ngjitur në oborrin e brendshëm, e më pas ka kaluar murin perimetral, duke u zhdukur brenda pak minutash. Hetuesit po analizojnë regjistrimet e kamerave të sigurisë për të përcaktuar me saktësi momentin dhe mënyrën se si ndodhi arratisja.
Toma Taulant – i dënuar për grabitje, vjedhje dhe trafik droge, me dënim që i përfundon në vitin 2048 – njihet për aftësinë e tij për t’u arratisur. Kjo është heraj e katërt që ai i shpëton sistemit të burgjeve italiane:
- 2009 – Arratiset nga burgu i Ternit; kapet në dhjetor në një shtëpi fshati në provincën e Pavias.
- 2013 – Arratiset nga burgu i Parmës bashkë me një të dënuar tjetër; kapet më pas në Belgjikë.
- Pas kapjes, arratiset sërish, deri sa u ndalua përfundimisht në vitin 2015.
Njësitë e kërkimit janë vënë në gatishmëri jo vetëm brenda perimetrit të burgut, por edhe në zonat përreth, ndërsa vijon puna intensive për të zbuluar se ku mund të jetë fshehur 41-vjeçari.











