Itali/ Hel*imi me monoksid karboni i merr jetën një familjeje shqiptare – reagon kreu i Komunës

Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Porcari, në provincën e Luçës, ku katër anëtarë të së njëjtës familje kanë humbur jetën në banesën e tyre, dyshohet si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.

Viktimat janë:

  • Arti Kola,
  • bashkëshortja e tij Jonida,
  • djali Hajdar, 22 vjeç,
  • dhe vajza Xhesika, 15 vjeçe.

Sipas autoriteteve italiane, gazi dyshohet se ka rrjedhur nga kazani i ngrohjes, ndërsa hetimet janë ende në vijim për të konfirmuar shkaqet e sakta të kësaj ngjarjeje.

Në vendin e ngjarjes shkoi menjëherë edhe kryetari i Komunës së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili reagoi i tronditur në rrjetet sociale, duke e quajtur këtë një humbje të madhe për komunitetin.

Mesazhi i kryetarit të Komunës

“Mbrëmjen e djeshme, një fatkeqësi e madhe ndodhi në vendin tonë.

Një familje e tërë, familja Kola, me shumë gjasa humbi jetën në shtëpi, për shkak të monoksidit të karbonit që rrjedh nga kazani.

Babai Arti, nëna Jonida me dy fëmijët e tyre, Hajdarin 22 vjeç dhe Xhesikën 15 vjeçe.

Jemi të gjithë të tronditur dhe të pikëlluar nga kjo ngjarje tragjike, që na kujtoi edhe tragjedinë e familjes Malanca dhe atë të shkurtit të vitit 1992.

Komuniteti ynë qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve, në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin.

U prehshin në paqe, të gjithë së bashku.”

Ngjarja ka tronditur jo vetëm komunitetin vendas, por edhe shqiptarët në Itali dhe më gjerë.