Ish-presidentja e Kosovës mohon çdo përfshirje në dosjen Epstein

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar publikisht pas raportimeve mediatike që e lidhin emrin e saj me dosjen “Epstein”, të publikuar së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë. Në një sqarim zyrtar, Jahjaga i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta, të pabaza dhe mashtruese për opinionin publik.

“Raportimet mediatike për ‘lidhjen time’ me dosjen ‘Epstein’ janë tërësisht të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo kontakti me personin në fjalë”, deklaron Jahjaga.

Ajo thekson se përmendja e emrit të saj në disa media lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila, sipas saj, nuk provon dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale. “Emri im nuk përmendet askund në asnjë dokument të publikuar. Në emailin në fjalë përmendet ‘Presidenti i Kosovës’, pa u specifikuar se për kë bëhet fjalë dhe pa ndonjë kërkesë për takim në emrin tim”, sqaron ish-presidentja.

Jahjaga i ka quajtur insinuata çdo interpretim tjetër të kësaj korrespondence dhe ka kërkuar që sqarimi i saj të publikohet nga të gjitha mediat që kanë përmendur emrin e saj në këtë kontekst. “Nuk e kam njohur, nuk e kam takuar dhe nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozicion që kam mbajtur”, thekson ajo.

Reagimi i ish-presidentes vjen pas publikimit, më 29 janar, të mijëra dokumenteve të dosjes Epstein nga autoritetet amerikane. Në mesin e tyre ndodhet edhe një email i vitit 2012, ku një person me emrin “Daniel”, identiteti i të cilit mbetet i panjohur, përmend “Presidentin e Kosovës” në një kontekst të përgjithshëm, pa emër konkret dhe pa prova për ndonjë takim të zhvilluar. Në atë periudhë, detyrën e Presidentes së Kosovës e ushtronte Atifete Jahjaga, çka ka nxitur spekulime dhe raportime mediatike, të cilat ajo i ka hedhur poshtë kategorikisht.