Ferdinand Xhaferaj, ish-deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit emërohet këshilltar i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Emërimi vjen pas përfundimit të mandatit të tij parlamentar dhe vendimit për të mos marrë pjesë në primaret e PD-së për zgjedhjet e ardhshme.
Xhaferaj sjell në institucionin e Presidencës një përvojë të gjerë dhe të konsoliduar, duke iu referuar karrierës së gjatë në politikë dhe në fushën e sigurisë kombëtare. Ai është diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe ka ndjekur studime të avancuara në SHBA, përfshirë një specializim në Universitetin e Harvardit për “Politikat e Lidershipit” (1999) dhe një Master të Dyfishtë në “Siguri Ndërkombëtare” dhe “Çështje të Sigurisë Kombëtare” në Naval Postgraduate School. Në vitin 2006, ai përfundoi studimet e doktoraturës në Akademinë e Mbrojtjes.