Ballina Arsimi Inteligjenca artificiale futet në arsimin shqiptar

Inteligjenca artificiale futet në arsimin shqiptar

Në një kohë kur inteligjenca artificiale po zhvillohet dhe përdoret gjithnjë e më tepër, Shqipëria do të ndjekë të njëjtën qasje si shumë vende të tjera të botës, duke e integruar atë në sistemin arsimor. Por si do realizohet kjo?

Sipas Planit të Veprimit mbi Arsimin Digjital 2025-2030, inteligjenca artificiale do të përdoret fillimisht për të mundësuar mësim të personalizuar.

Konkretisht, do të krijohen  platforma të mbështetura nga inteligjencë artificiale, të cilat do të jenë në gjendje të analizojnë progresin e nxënësve, të sugjerojnë ushtrime të personalizuara, të japin feedback të menjëhershëm dhe të përcaktojnë se në cilat fusha ka më tepër nevojë nxënësi të përmirësohet. Kjo do të krijojë mundësi për përshtatjen e përmbajtjes mësimore sipas nevojave dhe stilit individual të çdo nxënësi.

Duke qenë i orientuar për përdorim të përgjithshëm dhe falas, adoptimi i ChatGPT dhe OpenAI në arsim gjithashtu është rritur. Ministria e Arsimit dhe Sportit synon që të zhvillojë udhëzime dhe raste të përdorimit të këtyre mjeteve, për të ndihmuar mësuesit që t’i përdorin ato në mënyrë efektive.

Krijimi i programeve të shkëmbimit për programe studimi ose kurse të fokusuara në inteligjencë artificiale, si ato të ofruara nga Erasmus, së bashku me bursa të dedikuara, janë disa nga masat e tjera që do të ndërmerren në këtë drejtim. Krahas kësaj, pritet të organizohet një program vizitash për profesorë dhe ekspertë të IA nga universitetet evropiane dhe mundësimi i leksioneve afatshkurtra nga ekspertë të ftuar.

Gjithashtu, do të zhvillohen projekte kërkimore të përbashkëta në fushën e inteligjencës artificiale dhe kurse të përbashkëta (si p.sh. Master i Shkencave në IA).

Një element i rëndësishëm është integrimi i inteligjencës artificiale (IA) në arsimin parauniversitar, duke e përfshirë brenda edhe në kurrikulën ekzistuese të TIK-ut, veçanërisht për nxënësit nga klasa e 4 deri në klasat më të larta.