Ballina Shqiperia ime Infrastruktura e Shqipërisë, në fokus të investimeve të BE 

Infrastruktura e Shqipërisë, në fokus të investimeve të BE 

Edhe këtë radhë, infrastruktura është fokusi kryesor i investimeve të BE në Shqipëri. Shumica e parave që po jepen për vendin tonë nga Plani i Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian, ku financimi më i fundit kap një vlerë prej 100 milionë eurosh, do t’i kushtohen projekteve infrastrukturore.

Në mars të këtij viti, Shqipëria përfitoi 64.5 milionë euro parafinancim nga Plani i Rritjes Ekonomike të Bashkimit Evropian, rreth 30 milionë euro kredi koncensionare për zbatimin e reformave të Agjendës Kombëtare të Reformave dhe 34.5 milionë euro në grante dhe hua koncesionare për investime në infrastrukturë. Duke filluar nga tani, rreth 54 milionë euro të tjera do të kanalizohen përmes Kornizës së BE-së për Investime në Ballkanin Perëndimor (WBIF) për të mbështetur zhvillimin e infrastrukturës.

Komisioni Evropian nuk ka dhënë detaje se cilat janë këto investime, por mund të jetë Shqipëria ajo që do i kanalizojë sipas projekteve që kanë më shumë nevojë për para.

Plani i Rritjes Ekonomike parashikon shpërndarjen e një fondi prej 6 miliardë eurosh për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’i mbështetur këta të fundit në realizimin e reformave të nevojshme për të arritur standardet e Bashkimit Evropian. Shqipëria do të përfitojë në total 922 milionë euro nga ky Plan deri në 2027, pra kaq është konsideruar si e nevojshme nga BE që Shqipëria të zbatojë të gjitha reformat e parashikuara nga Agjenda Kombëtare 2024-2027, e cila iu dorëzua dhe u miratua nga BE vitin e kaluar. Serbia dhe Bosnje Hercegovina janë dy shtetet që do të përfitojnë më shumë.

Sa më shumë reforma realizon vendi ynë, aq më shumë fonde lirohen nga Bashkimi Evropian. Pra, fondet po jepen gradualisht në varësi të ecurisë së zbatimit të reformave. Cilat janë reformat e zbatuara deri më tani nga Shqipëria?

Siç ishte parashikuar në Agjendën Kombëtare të Reformave, Ministria e Brendshme hartoi në mars një projektligj për ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, e cila do të jetë përgjegjëse për procesin e gjurmimit dhe identifikimit të të ardhurave, pasurive ose përfitimeve të tjera pasurore që lindin nga një vepër penale ose veprimtari kriminale, të cilat mund t’i nënshtrohen ngrirjes së përkohshme, sekuestrimit ose konfiskimit nga organet kompetente.

Po ashtu, edhe Strategjia Afatgjatë e Rinovimit të Ndërtesave është miratuar, me financim të përcaktuar të nevojshëm për 2025 dhe 2026 për të përmbushur objektivin vjetor të rinovimit prej 3% për ndërtesat publike qeveritare ekzistuese.

Një Strategji e re Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Kundër Financimit të Terrorizmit dhe Planit të saj të Veprimit 2024-2030, si dhe Strategjia Afatmesme e të Ardhurave janë hartuar po ashtu në kuadër të objektivave të vendosura në Agjendën Kombëtare të Reformave.

Deri në 2027, Shqipëria ka edhe një sërë reformash të tjera për të zbatuar.