Tiranë, 22 janar 2026 – Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë ka reaguar ashpër lidhur me vonesën e pagesës për punonjësit e shëndetësisë, duke bërë të ditur se edhe pse data është 22 janar 2026, paga e muajit dhjetor 2025 ende nuk është kaluar për infermierët dhe stafin mjekësor.
Në një deklaratë për mediat, shoqata shpreh shqetësimin e saj të thellë për mungesën totale të transparencës dhe komunikimit nga institucionet përgjegjëse. Sipas saj, vonesa ka ndodhur pa asnjë njoftim apo justifikim zyrtar, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë asnjë reagim publik.
Shoqata kritikon ashpër edhe rolin e sindikatave, të cilat, sipas saj, janë kthyer në struktura pasive që reagojnë vetëm për interesa personale apo politike, duke mos mbrojtur realisht punonjësit e shëndetësisë.
“Punonjësit heshtin nga frika e presioneve dhe kërcënimeve për largim nga puna, ndërkohë që ministria premton rritje pagash si lëmoshë për t’u mbyllur gojën”, thuhet në deklaratë.
Sipas Shoqatës së Infermierëve, kjo situatë është përsëritur prej vitesh dhe asnjëherë nuk është mbajtur përgjegjësi institucionale. Infermierët dhe stafi mjekësor detyrohen të presin pa afat për një të drejtë themelore, ndërkohë që sektori i shëndetësisë ka qenë i përfshirë në skandale të shumta financiare.
“Është e turpshme që pas kaq shumë vjedhjesh dhe abuzimesh në shëndetësi, punonjësit që janë në vijën e parë të shërbimit të mbeten pa paga”, thekson shoqata.
Në përfundim, Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë kërkon që dikush të mbajë përgjegjësi për këtë situatë dhe që ky fenomen të mos përsëritet më në të ardhmen.










