Inceneratori i Fierit në mesin e 14 projekteve të mëdha të investimeve...

Inceneratori i Fierit në mesin e 14 projekteve të mëdha të investimeve të 5-vjeçarit

170
SHPËRNDAJE

Financimet e dhëna nga buxheti i shtetit për projektet e investimeve nga viti 2019 deri në fund të 7-mujorit 2023 e rendisin inceneratorin e Fierit në mesin e 14 veprave më të mëdha të qeverisë shqiptare në 5 vitet e fundit sipas listës shumëvjeçare të investimeve që azhurnohet nga Ministria e Financave muaj pas muaji.

Inceneratori i Fierit u rendit i 14-ti në listën me 1400 projekteve të investimeve, realizimi i të cilave kërkon financim shumëvjeçar.

Projekti me vlerë rreth 3,5 miliardë lekë (34 mln euro) që në fakt rezultoi një skemë e plotë mashtrimi e zbuluar nga Struktura e Posaçëm e hetimit SPAK, kryeson listën e projekteve të 5-vjeçarit të fundit për nga vlera e financimit.

Inceneratori i Tiranës do të ishte në top listën e investimeve të qeverisë, por nuk klasifikohet si investim kapital dhe raportohet te shpenzimet korente. Ministria e Financave nuk ruajti standardin duke raportuar si investime kapitale, inceneratorin e Fierit dhe atë të Elbasanit, ndërsa i Tiranës klasifikohet ne shpenzimet korente.

Shqipëria ka nevoja të mëdha infrastrukturore bazë të tilla si rrugë me standarde, furnizim të rregullt me ujë dhe energji të zonave rurale, por qeveria orientoi fondet publike në disa projekte korruptive, të cilat edhe pse u vërtetuan si të tilla, vijuan të marrin fonde në mënyrë të rregullt nga buxheti i shtetit.

Vitin e kaluar Inceneratori i Fierit u financua me 376 milionë lekë ose rreth 3.2 milionë euro, aq sa ishte programuar në buxhet.

Ndryshe nga projektet e tjera të investimeve publike të cilat marrin gati 50 për qind të financimeve vjetore në muajin dhjetor, inceneratori i Fierit i ka marrë të gjitha fondet e planifikuara deri në fund të gushtit 2022. Ndërsa buxheti i shtetit këtë vit çeli edhe 68 milionë lekë (600 mijë euro) pagesa për inceneratorin e Fierit.

Për shumë projekte investimesh madje janë krijuar edhe detyrime të prapambetura, d.m.th. qeveria i ka vonuar pagesat, ndërsa me inceneratoret ka treguar një korrektësi të admirueshme.

Për te tre inceneratorët është marrë masa e sekuestros nga SPAK për abuzim me fondet publike dhe pastrim parash, moszbatim të kontratave, teksa janë nga të paktat ndaj të cilave respektohet grafiku rigoroz i pagesave pa zhvilluar asnjë punim, në kundërshtim me rregullohet e brendshme të thesarit.

Projektet e koncesioneve PPP dhe ato e rindërtimit të pasojave të tërmetit kryesojnë në listën e projekteve me të financuara ne 5-vite.

Rindërtimi i banesave të prishura nga tërmeti ishte projekti më i madh i financuar në pesë vitet e fundit me rreth 22 miliardë lekë (200 mln euro) nga viti 2019 deri në korrik 2023. Thesari në Ministrinë e Financave raporton në mënyrë të rregullt për pagesat që kryhen për procesin e rindërtimit, por nuk raporton në këtë mënyrë për rezultatet e investimeve.

Kontrata koncesionare e Rrugës e Arbrit është një nga projektet me të mëdha te pesë viteve të fundit me një kosto pa TVSH 34 miliardë lekë për të cilën janë paguar deri në fund të korrikut 2023 mbi 13 miliardë lekë.Monitor

S'KA KOMENTE