Gruri dhe misri, dy nga produktet kryesore të grupit të drithërave, po shfaqin ecuri të ndryshme në treg gjatë muajve të parë të vitit 2025.Sipas të dhënave nga Doganat, importet e grurit në periudhën janar-mars kanë pësuar rënie të ndjeshme, ndërkohë që importet e misrit shënojnë rritje dyshifrore.
Rënie me 35% e importeve të grurit
Për periudhën janar-mars 2025, u importuan rreth 28,900 ton grurë, një rënie me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas përfaqësuesve të fabrikave të blojës, shkak i kësaj rënieje nuk është një rritje e prodhimit vendas, por ndryshimet në zakonet e konsumit.
“Rënia e importeve lidhet me kalimin e konsumatorëve drejt produkteve të gatshme të brumit të importuara, si dhe me efektet e uljes së popullsisë,” pohuan përfaqësues nga sektori i përpunimit të grurit.
Megjithëse ekziston një prodhim vendas i grurit, fabrikat e blojës vazhdojnë të mbështeten kryesisht në lëndën e parë të importuar, pasi gruri vendas shpesh nuk plotëson standardet e cilësisë të kërkuara për prodhimin e miellit.
Sipas të dhënave të INSTAT sipërfaqja e tokës së mbjellë me grurë për 2023 është rritur me 6% krahasuar me vitin paraardhës. Rritja e të mbjellave u nxit nga subvencionet direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për hektar të dhëna nga Ministria e Bujqësisë pas krizës së çmimeve për shitjen e grurit në 2022.
Rritje 26% e importeve të misrit
Ndryshe nga gruri, misri ka shënuar një rritje prej 26% në import, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024. Nga janari deri në mars 2025 janë importuar 25,300 ton misër, sasia më e lartë që prej vitit 2019.
Ekspertët e bujqësisë e lidhin këtë rritje me përdorimin intensiv të misrit si lëndë ushqyese për blegtorinë, në një kohë kur fermerët janë përballur me rritje të ndjeshme të çmimeve të koncentrateve, përfshirë misrin. Vetëm gjatë fillim vitit, çmimi i misrit u rrit me 26% në treg.
Sakaq, sipas të dhënave të INSTAT, sipërfaqja e tokave të mbjella me misër në vitin 2023 ra me rreth 2% krahasuar me vitin 2022, duke reflektuar një tendencë të vazhdueshme të tkurrjes së prodhimit vendas në këtë kulturë bujqësore.