Në Pallatin e Kongreseve janë mbajtur homazhe në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja i cili u vra 2 ditë më parë në sallën e gjyqit.
I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, por edhe kolegë të gjyqtarit të ndjerë, prokurorë e gjyqtarë.
Pas homazheve në Pallatin e Kongreseve, Rama refuzoi të jepte një deklaratë lidhur me ngjarjen e rëndë me gjithë insistimin e mediave të shumta të pranishme.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën dhe solli reagime të shumta nga sistemi i drejtësisë, politika por edhe opinioni publik.
Elvis Shkambi qëlloi me tre plumba gjyqtarin Astrit Kalaja menjëherë sapo dha vendimin në disfavor të tij për një çështje prone duke i shkaktuar vdekje.
31-vjeçari qëlloi me armë zjarri edhe ndaj 2 personave të tjerë në sallën e gjyqit, me të cilët ishte në konflikt pronësie duke i lënë të plagosur.
Pas arrestimit të autorit të vrasjes, Elvis Shkambi, në pranga lidhur me ngjarjen e rëndë janë vënë edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, si dhe punonjësi i sigurisë i Gjykatës së Apelit Tiranë, Banush Koxhaj.