Hipoteka e Lushnjes me shërbime të kufizuara, ndërhyrje emergjente për shkak të problemeve teknike

Zyra e Hipotekës në Lushnja ka funksionuar me shërbime të kufizuara gjatë ditëve të fundit, për shkak të problemeve serioze me sistemin dhe internetin

Sipas burimeve, për më shumë se një javë sistemi ka qenë jashtë funksioni, duke sjellë grumbullim të aplikimeve dhe vonesa të shumta për qytetarët. Për këtë arsye, disa specialistë janë paraqitur fizikisht në zyrën e KADASTRES FIER, me qëllim çlirimin e aplikimeve dhe vijimin e përkohshëm të shërbimeve, si një zgjidhje emergjente.

Burimet sqarojnë se bëhet fjalë për një ndërhyrje teknike dhe organizative, e diktuar nga situata e krijuar, dhe jo për një mbyllje apo transferim përfundimtar të institucionit, megjithëse mungesa e një njoftimi zyrtar ka krijuar paqartësi dhe reagim në opinionin publik.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për vijimësinë e shërbimeve, ndërsa pritet një sqarim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për funksionimin e Hipotekës dhe normalizimin e sistemit në ditët në vijim.