Punimet për hekurudhën Tiranë–Durrës dhe zgjatimin e saj drejt Rinasit po vijojnë, ndërsa ka nisur vendosja e rrjetave mbrojtëse në segmentet që kalojnë pranë zonave të banuara. Masa synon rritjen e sigurisë dhe parandalimin e kalimeve të paligjshme në linjën hekurudhore.
Gjatë ditëve të fundit, kompania zbatuese ka filluar instalimin e rrjetave dhe kangjellave mbrojtëse në disa pika të trasesë, veçanërisht në zona urbane të kryeqytetit. Ndërhyrjet aktuale janë përqendruar në zonën e kryqëzimit që lidh rrugën “Coca-Cola” me kalimin drejt Laknasit, një segment në nivel, pa barriera fizike, ku qarkullimi rrugor ndërpritet nga linja hekurudhore dhe sinjalizohet me Kryqin e Shën Andreas.
Sipas projektit, pjesa më e madhe e trasesë që kalon pranë qendrave të banuara do të izolohet me rrjeta mbrojtëse, me qëllim garantimin e sigurisë për këmbësorët, automjetet dhe trenat që pritet të lëvizin me shpejtësi të lartë.
Punimet për këtë linjë kanë nisur në vitin 2021 dhe janë realizuar nga kompania italiane INC S.p.a, së bashku me nënkontraktorët e saj. Afatet e përfundimit kanë pësuar ndryshime, ndërsa autoritetet kanë bërë me dije se operimi i plotë i linjës pritet të nisë në fillim të vitit 2027.
Ndërkohë, Hekurudha Shqiptare ka zhvilluar një proces paraprak për të tërhequr interesin e operatorëve potencialë për shërbimin e pasagjerëve. Sipas planit, operimi i trenave do të realizohet përmes një modeli koncesioni, ku shërbimi do të ofrohet nga një operator privat me eksperiencë në transportin hekurudhor.
Projekti financohet nga një kredi e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa në fillim të këtij viti qeveria ka kërkuar fonde shtesë për shkak të rritjes së kostove të ndërtimit. Një pjesë e financimit do të përdoret për ndërtimin e stacioneve të reja.
Hekurudha Tiranë–Durrës me zgjatimin drejt Rinasit ka një gjatësi totale prej 39 kilometrash. Linja do të jetë e elektrifikuar dhe parashikohet që distanca mes Tiranës dhe Durrësit të përshkohet për rreth 22 minuta, me 11 stacione përgjatë gjithë trasesë.










