Hapja e portave të HEC-eve Ulëz dhe Shkopet sjell përmbytje në fshatrat e Kurbinit dhe Lezhës

Hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit kanë hapur portat si pasojë e rritjes së prurjeve ujore, duke shkaktuar përmbytje në disa fshatra të Kurbinit dhe Lezhës. Sipas informacioneve paraprake, rritja e nivelit të ujit ka sjellë daljen nga shtrati të përrenjve dhe përmbytjen e tokave bujqësore, ndërsa në disa zona uji ka depërtuar pranë banesave.

Situata është bërë problematike për banorët, të cilët po përballen me vështirësi në qarkullim dhe dëme materiale. Strukturat vendore dhe shërbimet e emergjencave civile janë në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa prurjet vijojnë të mbeten të larta edhe në orët në vijim.