Ballina Shqiperia ime Hapet pika kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës – një hap drejt...

Hapet pika kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës – një hap drejt operimit të plotë ndërkombëtar

Qeveria ka miratuar vendimin për hapjen e pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke i hapur rrugë funksionimit të plotë të aeroportit për qarkullimin ndërkombëtar të shtetasve.

Vendimi është marrë në mbështetje të ligjit “Për kontrollin kufitar” dhe me propozim të Ministrit të Brendshëm. Sipas dokumentit zyrtar, pika kufitare do të jetë e dedikuar për qarkullimin ajror ndërkufitar, duke mundësuar kështu operimin e rregullt të fluturimeve ndërkombëtare.

Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të vënies në funksion të plotë të një prej investimeve më strategjike në jug të vendit.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave si dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Aeroporti i Vlorës u certifikua më 8 maj 2025, me uljen e avionit të parë në pistë. Ky aeroport pritet të shndërrohet në një nga portat kryesore hyrëse të jugut të Shqipërisë dhe të japë një shtysë të re për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në rajon.