Ballina Ekonomi Hapet gara për ndërtimin e infrastrukturës së re në Bazën Ajrore të...

Hapet gara për ndërtimin e infrastrukturës së re në Bazën Ajrore të Kuçovës; fondi limit 10.9 milionë lekë

Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur zyrtarisht hapjen e procedurës së prokurimit për ndërtimin e infrastrukturës së re në Bazën Ajrore të Kuçovës. Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i kësaj gare është 10 milionë e 985 mijë lekë.

Projekti parashikon ndërhyrje të rëndësishme në modernizimin e infrastrukturës së bazës, duke nisur nga ndërtimi i rrjeteve elektrike e deri te instalimi i sistemeve të telekomunikacionit me fibër optike. Gjithashtu, përfshihet edhe planvendosja e ndriçuesve të rinj përgjatë rrugëve brenda kampusit ushtarak.

Një nga komponentët kryesorë të projektit është ndërtimi i një kabine të re elektrike, e cila do të furnizohet me tension të mesëm 20 kV. Kjo pritet të garantojë furnizim të qëndrueshëm dhe funksionim optimal të pajisjeve elektrike në të gjithë zonën e bazës.

Projektimi i rrjetit elektrik është realizuar duke marrë parasysh organizimin funksional të ambienteve të përbashkëta, qarkullimin brenda kampusit, vendosjen e objekteve, terrenet sportive dhe hapësirat ndihmëse, me synimin për të modernizuar plotësisht infrastrukturën ajrore në Kuçovë dhe për ta përafruar atë me standardet më bashkëkohore të sigurisë dhe teknologjisë.

Në dokument parashikohet gjithashtu krijimi i rrjetit të jashtëm të furnizimit me ujë, i cili do të lidhet me tubacionin kryesor ekzistues të Bashkisë Dimal.

Gjatë fazës së zbatimit, për projektin do të përdoren produkte dhe materiale të certifikuara sipas standardeve të Bashkimit Evropian, me qëllim garantimin e një infrastrukture moderne, funksionale dhe të sigurt, bëhet e ditur në dokumentin shoqërues.