Ballina Shqiperia ime Gjykata e Apelit Posaçëm dënon me burg ish-prokurorin

Gjykata e Apelit Posaçëm dënon me burg ish-prokurorin

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare),  më datë 18.06.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 19 akti, datë 18.02.2025 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 18, datë 23.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin S.H. – disponuar mbi ankimet e paraqitur ndaj vendimit nr. 36, datë 31.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

  1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 36, datë 31.05.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin S.H. lidhur me deklarimin e tij fajtor për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, si dhe llojin dhe masën e dënimit për këtë vepër penale;
  2. Në zbatim të nenit 55, paragrafi 2, të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri S.H. dënohet me një dënim të vetëm prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim;
  3. Në zbatim të nenit 406, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit S.H. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim;
  4. Ndryshimin e vendimit nr. 36, datë 31.05.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën tjetër, në këtë mënyrë:

–       Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin S.H.;

–       Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a”, të Kodit të Procedurës Penale, e lidhur me nenin 36, pika 1, shkronja “ç”, të Kodit Penal, provat materiale, kartëmonedhat në vlerën 1,000 (një mijë) euro, të sekuestruara me procesverbalin e datës 19.06.2021, të konfiskohen dhe të kalojnë në favor të shtetit;

–       Bazuar ne nenin 190, pika 1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, provat materiale, kartëmonedhat në vlerën 1,070,000 (një milion e shtatëdhjetë mijë) lekë dhe 1,000 (një mijë) euro, të sekuestruara me procesverbalin e datës 19.06.2021, t’i kthehen të pandehurit S.H.;

  1. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;
  2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij;
  3. U shpall në Tiranë, sot më datë 18.06.2025.