Gjykata e Apelit në Tiranë ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-nënkryetaren e Bashkisë Fier, Adela Hysenaj, dhe drejtorin e monitorimit në terren në Drejtorinë e Tatim-Taksave, Vasil Ceku.
Të dy zyrtarët, të cilëve më herët u ishte caktuar masa “arrest në shtëpi”, pas shqyrtimit të apelimit nga gjyqtari Astrit Kalaja, do të hetohen në gjendje të lirë me masën më të lehtë “detyrim paraqitjeje”.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa dosja penale është regjistruar nga Prokuroria e Fierit me numër procedimi 68/2025.
Akuza e Prokurorisë
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka ngritur akuzat për veprat penale:
- “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (neni 245/1 i Kodit Penal)
- “Shpërdorimi i detyrës” (neni 248 i Kodit Penal).
Sipas hetimeve, ku janë përdorur edhe metoda speciale:
- Adela Hysenaj, ish-drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës, akuzohet se në pesë raste ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të ulur detyrimet tatimore të subjekteve private. Ajo dyshohet gjithashtu se nuk ka marrë masa për fiskalizimin e parkimeve të Bashkisë Fier, duke shkaktuar një shmangie tatimore prej 40.9 milionë lekësh.
- Anisa Cjapi, Drejtoreshë e Taksave dhe Tarifave Vendore, dyshohet se ka lëshuar fatura tatimore me vlera të ndryshuara pas ankesave të subjekteve, shpesh më të ulëta se sa parashikonin vendimet e Këshillit Bashkiak.
- M.D., Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek Anisa Cjapi për të ulur vlerën e detyrimeve të një subjekti privat.
- Vasil Ceku, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Kontrollit Tatimor Rajoni Jugor, akuzohet se ka urdhëruar një kontroll tatimor në vitin 2024 pa autorizim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe jashtë procedurave ligjore.
Masat e sigurisë
Fillimisht, Gjykata e Shkallës së Parë Fier kishte vendosur:
- Arrest në shtëpi për Adela Hysenajn dhe Vasil Cekun.
- Pezullim nga detyra për Anisa Cjapin.
- Ndalim daljeje jashtë shtetit dhe pezullim nga detyra për M.D.
Pas apelimit, Gjykata e Apelit Tiranë ndryshoi masën për Hysenajn dhe Cekun, duke i lënë në fuqi vetëm me detyrim paraqitjeje.
Qëndrimi i Prokurorisë
Prokuroria e Fierit ka deklaruar se hetimet vijojnë dhe akuzat do të sqarohen më tej