Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla
Gjykata e Apelit të GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar me 1 vit burg kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Vendimi është i formës së prerë për Memollën, i cili nuk u paraqit në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij mbrojtës.
Apeli ka lënë në fuqi edhe dënimet për tre persona të tjerë të përfshirë në çështje:
- Ndriçim Tafxhafa – 1 vit burg
- Blerim Xhamani – 1 vit burg
- Isuf Tosku – 8 muaj burg, me pezullim dhe shërbim prove
Të katërt akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje, pas publikimit të një regjistrimi audio që ngriti dyshime për ndikim të paligjshëm në procesin zgjedhor.
Çfarë përmbante përgjimi
Në regjistrimin e bërë publik, Memolla – asokohe kandidat për kryebashkiak – i kërkonte elektricistit të FSHU-së në Durrës, Ndriçim Tafxhafës, që të mos ndërpriste energjinë elektrike të një abonenti debitor, në këmbim të votës së tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.
Zgjedhje të reja në Rrogozhinë
Dënimi i formës së prerë e çon Bashkinë e Rrogozhinës drejt zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga momenti i krijimit të vakancës.
Memolla ka të drejtë të paraqesë rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda afateve që parashikon ligji.










