Ballina Shqiperia ime GJKKO liron nga burgu ish-administratorin e “Bankers”Leonidha Çobo

GJKKO liron nga burgu ish-administratorin e “Bankers”Leonidha Çobo

Gjykata e Posaçme ka vendosur këtë të martë lirimin nga burgu të ish-administratorit të kompanisë Bankers Petroleum, Leonidha Çobo. Vendimi u dha nga gjyqtari Erjon Çela, i cili caktoi për të masën e re të sigurisë “arrest në shtëpi”.

Që në seancën paraprake, avokati mbrojtës i Çobos ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë, duke argumentuar se klienti i tij ka punuar për Bankers Petroleum kanadeze, dhe jo për kompaninë kineze që e bleu më vonë. Sipas mbrojtjes, Çobo ka qenë shpesh në “përplasje” me drejtuesit e rinj kinezë, e jo në bashkëpunim me ta.

Avokati deklaroi se periudha e hetuar nga Prokuroria e Fierit, që i referohet viteve 2018 e në vijim, nuk përfshin aktivitetin e Çobos, pasi ai nuk ka pasur më asnjë funksion në kompani që prej vitit 2015. Sipas tij, Çobo ka ushtruar detyrën me korrektësi gjatë viteve 2010-2015, dhe të gjitha raportet financiare të asaj periudhe janë audituar e verifikuar nga AKBN dhe Drejtoria e Tatimeve.

Mbrojtja kujtoi se marrëdhënia kontraktuale midis Bankers dhe shtetit shqiptar është e përcaktuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve të vitit 2004, dhe se për periudhën që ai ka qenë administrator, vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit në Paris dhe të gjykatave shqiptare kanë konfirmuar rregullshmërinë e aktivitetit të kompanisë.

Sipas avokatit, Çobo është hetuar më parë nga Prokuroria e Fierit gjatë viteve 2020-2021 për të njëjtat akuza – “shpërdorim detyre”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “korrupsion në sektorin privat” – hetim i cili është pushuar me kërkesë të vetë prokurorisë, dhe vendimi është lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë.