Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike në Fier, Gentian Koçi, ka shpalosur vizionin e tij për drejtimin e degës së PD-së, duke vënë theksin te angazhimi i vazhdueshëm me qytetarët dhe forcimi i strukturave të partisë në terren.
Përmes një mesazhi publik, Koçi thekson se politika nuk duhet të kufizohet vetëm në periudhat zgjedhore, por duhet të jetë një angazhim i përditshëm në shërbim të qytetarëve. Sipas tij, besimi i njerëzve fitohet duke i dëgjuar, duke u përballur me problemet e tyre dhe duke qenë pranë tyre edhe kur nuk ka vëmendje mediatike.
“Politika nuk duhet të jetë vetëm garë për pushtet, por mbi të gjitha shërbim ndaj qytetarëve, dëgjim i shqetësimeve të tyre dhe punë e përditshme për zgjidhjen e problemeve reale”, shprehet Koçi.
Kandidati për drejtimin e PD Fier vlerëson se dega lokale e partisë ka nevojë për një drejtim aktiv, të përgjegjshëm dhe transparent, i cili të punojë vazhdimisht për ta kthyer strukturën në një forcë reale politike në çdo lagje dhe fshat të Fierit.
Në vizionin e tij, Koçi synon ndërtimin e Partisë Demokratike më pranë qytetarëve, më të organizuar dhe më të besueshme në përfaqësimin e interesave të tyre. Ai thekson se alternativa fituese ndërtohet përmes punës në terren, përgjegjësisë politike dhe vendosjes së qytetarit në qendër të çdo vendimmarrjeje.
Mesazhi i kandidatit demokrat përmblidhet në një ide të qartë:” Me pak fjalë dhe më shumë punë mes njerëzve, si rruga për të rikthyer besimin dhe për të ndërtuar një alternativë të fortë politike në Fier”.










