Kapaciteti prodhues i energjisë elektrike në Shqipëri është rritur me rreth 262 MW gjatë vitit 2025, duke arritur në total 3478 MW. Sipas Entit Rregullator të Energjisë, kjo rritje erdhi kryesisht nga zgjerimi i burimeve të rinovueshme, veçanërisht impiantet fotovoltaike të lidhura si në rrjetin e transmetimit ashtu edhe atë të shpërndarjes.
Me hyrjen në operim të centraleve të reja, prodhuesit privatë zotërojnë tashmë rreth 55% të kapacitetit total, ndërsa Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) mban 1563 MW, ose rreth 45%.
Megjithatë, prodhimi neto vendas i energjisë për vitin 2025 arriti në 7467 GWh, duke shënuar një rënie prej 369 GWh krahasuar me vitin 2024. Sipas të dhënave, kjo ulje lidhet kryesisht me kushtet hidrike, duke theksuar edhe njëherë varësinë e lartë të prodhimit nga moti.
Prodhimi është ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes KESH dhe prodhuesve të tjerë, me nga rreth 50% secili.
Ndërkohë, konsumi i energjisë elektrike vijon të rritet. Gjatë vitit 2025 ai arriti në 8345 GWh, me një rritje prej 175 GWh krahasuar me një vit më parë, i ndarë mes konsumatorëve në tregun e rregulluar dhe atyre në tregun e liberalizuar.










